Serbia ka konfirmuar rrëmbimin në krye të detyrës së tre policëve të Kosovës. Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkovic, tha se njësitet anti-terror të xhandarmërisë serbe kanë arrestuar tre zyrtarë të njësive speciale të Policisë së Kosovës, që sipas tij “ishin të armatosur deri në dhëmbë”. Ai i identifikoi të arrestuarit me inicialet R.Z, B.S dhe M.Sh. “Ata u arrestuan në orën 12:38 në afërsi të Rashkës”, pretendoi Petkovic gjatë një konference për media në Beograd. Petkovici hodhi poshtë deklaratën e autoriteteve në Kosovë, se policët u rrëmbyen brenda territorit të Kosovës.