Sipas një vlerësimi të inteligjencës ukrainase, Rusia dyshohet se po i ofron mbështetje të fshehtë Iranit në konfliktin në Lindjen e Mesme. Raporti lë të kuptohet se satelitët rusë kanë kryer dhjetëra vëzhgime të detajuara mbi baza ushtarake dhe objekte strategjike në rajon, duke ndihmuar Teheranin në përzgjedhjen e objektivave për sulme. Të dhënat tregojnë se nga 21 deri më 31 mars janë realizuar të paktën 24 misione vëzhgimi në 11 vende, duke përfshirë baza amerikane, apo aeroporte. Sipas këtij vlerësimi, shumë prej këtyre objekteve janë goditur pak ditë më vonë nga raketa dhe dronë iranianë. Raporti thekson gjithashtu bashkëpunimin në rritje mes Rusisë dhe Iranit në fushën kibernetike, si dhe ekzistencën e një kanali të përhershëm komunikimi për shkëmbimin e informacionit. Aktivitet i shtuar satelitor është raportuar edhe në zona kyçe si Arabia Saudite, Izraeli dhe Ngushtica e Hormuzit, një pikë strategjike për furnizimin global me energji.