Kryeministri Rama ka postuar një video në rrjetin social facebook. Sipas tij, ajo që shfaqet në atë pamje filmike është shtrati i hapur i Rrugës së Arbërit. Vetë kryeministri shkruan se në verën e ardhshme, kjo rrugë do të jetë një ëndërr shumëvjeçare e realizuar për dibranët, e do të zbulojë për tiranasit hapësirat magjike të jastëkut të gjelbër të kryeqytetit që shtrihet deri pranë Dibrës. Ndërtimi i Rrugës së Arberit shkurton në mënyrë të ndjeshme distancat e transportit që lidhin Tiranën dhe portin e Durrësit me Dibrën, Peshkopinë, Matin, Shkupin. Rruga e Dibrës, e quajtur "Rruga e Arberit", është e gjatë 75 kilometra. Rruga parashikohet të përshkohet me shpejtësi mesatare 80 kilometra në orë, duke mënjanuar në maksimum ngjitjet malore. Ajo është duke u ndërtuar me lartësi mbi 1500-2000 metra. Rruga e Arbrit do të kalojë në 10 zona, ku do të shkurtojë 70 kilometra rrugën e sotme nga Burreli. Fillimet e saj i ka në Tiranë, më pas në Zall-Dajt, Muizë, Guri i Bardhë, Ura e Vashës, Plani i Bardhë, Bulqizë, Ura e Çerenecit, Gjoricë, Dibër.