Ekonomia e Shqipërisë ka treguar fleksibilitet përballë goditjeve të njëpasnjëshme, nga tërmeti, pandemia dhe lufta në Ukrainë. Ky është vlerësimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar, që parashikon që rritja për këtë vit të jetë rreth 3 për qind, udhëhequr nga kërkesa e qëndrueshme për konsum, turizmi dhe ndërtimi. FMN mbështet angazhimin e Qeverisë shqiptare për konsolidimin fiskal dhe thekson rëndësinë që rritja e fortë e pagave në sektorin publik të shoqërohet me masa domethënëse për përmirësimin e arkëtimit të të ardhurave nga taksat, luftë ndaj informalitetit dhe rritje të performancës së sektorit publik.