Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi ka ftuar të gjitha palët politike opozitare që brenda datës 3 prill të përcjellin sugjerimet e tyre për ndërhyrje në rregulloren e kuvendit. Kjo pasi gjykata kushtetuese rrëzoi kalimin me procedurë të përshpejtuar të propozimeve të socialistëve, përmes së cilave në muajin shtator u shtua numri i komisioneve nga tetë në 11 të tilla. Por, kjo ftesë e Peleshit është parë me skepticizëm nga demokratët. Kryetari Gazment Bardhi përmes një shkrese zyrtare i kujtom Peleshit se rregullorja e Kuvendit është ndryshuar në mënyrë të njëanshme nga ana e mazhorancës, në 16 shtator. “Ky ndryshim është shfuqizuar njëzëri, nga Gjykata Kushtetuese dhe ne jemi ende në pritje të zbardhjes së vendimit nga ana e Gjykatës Kushtetuese, detyrim që buron njëlloj edhe për Kryetarin e Kuvendit.” – shkruan Bardhi.