Kompeticioni RoboTech, një nga nismat më të rëndësishme për të rinjtë në fushën e teknologjisë, ka mbërritur në fazën e gjysmëfinales pas tre muajsh trajnimesh intensive në disa qytete të Shqipërisë. Ky edicion ka shënuar një rekord aplikimesh, me mbi 500 nxënës nga i gjithë vendi, ku 200 prej tyre, të organizuar në 27 ekipe nga 12 qytete, vijojnë garën drejt finales së madhe. I organizuar nga Universiteti Metropolitan Tirana, në bashkëpunim me COD pranë Kryeministrisë, si dhe me mbështetjen e Agjencisë Kombëtare të Rinisë dhe Startup Albania, RoboTech po shndërrohet në një platformë kyçe për identifikimin e talenteve të reja.