Zëvendës kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin ka akuzuar Gjermaninë dhe zyrtarët e lartë të saj, lidhur me mbështetjen që kjo e fundit ka treguar për rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë që pritet të votohet në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Vulin deklaroi se ministrja e Jashtme gjermane, Analene Baerbock është mbesa e një nazisti. “Do të mbetet e vërtetë se gjermanët janë komb gjenocidial, kurse serbët jo. Dhe nuk ka forcë që do ta ndryshojë këtë, tha zëvendëskryeministri i Serbisë. Republika Srpska ka dërguar një raport në OKB duke kërcënuar me qëndrimin se “miratimi i rezolutës për Srebrenicën do të shkaktonte konflikte të brendshme” në Bosnje e Hercegovinë. Rezoluta e nisur nga Gjermania dhe Ruanda kërkon që 11 korriku të shpallet Ditë Ndërkombëtare për Kujtimin e Gjenocidit në Srebrenicë.