Draft rezoluta e propozuar nga Partia Socialiste për shpalljen e Republikës Islamike të Iranit si shtet sponsor të terrorizmit, pritet të kalojë për votim në parlament në seancën e 17 marsit. Dita e martë do të fillojë për ligjvënësit me mbledhjen e konferencës së kryetarëve në orën 9 në ambjentet e sallës së seancave plenare, ku krahas draft rezolutës do diskutohet edhe programi i punës për periudhën 23 mars deri në 1 maj. Më pas punimet parlamentare do të fokusohen tek draft rezoluta e propozuar nga kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, përmes së cilës Shqipëria shpall Republikën Islamike të Iranit, Shtet Sponsor të Terrorizmit dhe shtet që përdor mjete terroriste në ndjekje të objektivave të tij të politikës së jashtme.