Re të dendura tymi të zi janë shfaqur sërish pasditen e kësaj të shtune në zonën e Milotit, duke u bërë të dukshme edhe nga superstrada që përshkon këtë zonë. Pamjet tregojnë djegie të gomave, një situatë që sipas banorëve po përsëritet vazhdimisht. Nuk është hera e parë që ndodh një fenomen i tillë. Djegia e këtyre materialeve në zonë është kthyer në një problem të përsëritur, që prej kohësh shqetëson banorët dhe drejtuesit e mjeteve që kalojnë në këtë segment rrugor, për shkak të ndotjes së madhe të ajrit dhe rrezikut që mund të krijojë për qarkullimin. Mbetet e paqartë se kush i shkakton këto zjarre pranë lumit Mat, ndërsa deri më tani nuk është bërë publike asnjë masë konkrete për ndalimin e kësaj praktike që vijon të përsëritet. Situata ka ngritur shqetësime tek banorët e zonës, pasi ndotja e ajrit dhe rreziku për shëndetin mbeten të larta sa herë që ndodhin episode të tilla.