Institucioni i Avokatit të Popullit monitoroi protestën kombëtare të Partisë Demokratike, e cila e pati pikënisjen në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ dhe më pas u shtri në formë marshimi në dyert e institucioneve kryesore të vendit. Grupi i punës i këtij institucioni vizitoi spitalet dhe komisariatet për të parë dhe intervistuar protestuesit e ndaluar apo të lënduar. Në raportin paraprak të avokatit të popullit thuhet se të paktën 12 persona në moshë madhore janë ndaluar, ndërsa katër të mitur u lanë të lirë pas marrjes në pyetje. Në Spitalin e Traumës, ekipi i Avokatit të Popullit administroi ankesën e një protestuesi që raportoi ushtrim dhune nga ana e policisë, për të cilën ka nisur hetimi përkatës. Raporti i detajuar do të publikohet në përfundim të hetimit administrativ.