Një vit para zgjedhjeve vendore, Partia Socialiste po intensifikon punën organizative dhe takimet me strukturat e qytetarët. Sikurse njoftoi kryeministri Edi Rama në mbledhjen e zgjeruar me qeverinë dhe grupin parlamentar, pritet që së shpejti të fillojë turi ‘Punët për Shqipërinë’ ku do të angazhohen eksponentë të rëndësishëm të Partisë Socialiste. Para çeljes së këtij turi, kryeministri Rama do të mbledhë kryetarët e bashkive, ditën e premte në Tiranë, ku do të diskutohet lidhur me strategjinë e komunikimit me qytetarët. Sipas burimeve, në mbledhjen me drejtuesit aktualë të pushtetit vendor, pritet të jepen udhëzimet mbi komunikimin për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian si dhe projektet që janë pjesë e vizionit të së majtëve dhe që prekin bashkitë e vendit.