Java nisi për socialistët me mbledhjen e grupit parlamentar kryesuar nga Edi Rama dhe Taulant Balla. Kryefjala e porosive të numrit një të socialiste ishte shtimi i takimeve dhe komunikimit me qytetarët, teksa të majtët kanë filluar turin ‘Punët për Shqipërinë’. Pasi u la jashtë një takimi të Ramës me strukturat e njësisë numër pesë në kryeqytet, Erion Braçe qëndroi në rresht të dytë të deputetëve në mbledhjen e grupit parlamentar. Nuk dihet nëse pas dyerve të mbyllura, Rama ka dhënë ndonjë koment për ambicien e tij për të qënë kandidat nën siglën e Partisë Socialiste për bashkinë e Tiranës, por publikisht kryeministri ka shfaqur mbështetje vetëm për kandidaturën e Ogerta Manastiliut. E pranishme në mbledhje ishte edhe Elisa Spiropali, e cila së fundmi ka shfaqur rezerva ndaj modelit politik që minon debatin.