Një trafik i rënduar është regjistruar këtë të hënë në Rrugën e Kombit, ku qindra automjete janë bllokuar për orë të tëra pranë tunelit të Kalimashit. Shkak i situatës ka qenë trau i pagesës në segmentin e koncesionuar të rrugës, i cili nuk ka arritur të përballojë fluksin e jashtëzakonshëm të automjeteve. Radha e makinave ka kaluar mbi 10 kilometra, duke krijuar vështirësi serioze në qarkullim dhe irritim tek drejtuesit e mjeteve. Fluksi i madh i trafikut lidhet me kthimin masiv të emigrantëve nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës dhe zona të tjera pas përfundimit të pushimeve verore në Shqipëri dhe në bregdetin shqiptar. Rruga e Kombit është lidhja kryesore mes Kosovës dhe bregdetit të Shqipërisë dhe çdo verë përballet me një ngarkesë të shtuar sin ë nisje ashtu dhe në përfundim të sezonit veror.