Presidenti rus Vladimir Putin ka reaguar për herë të parë ndaj sanksioneve të SHBA-së të shpallura kundër Rusisë ditën e mërkurë, ndaj dy kompanive më të mëdha të naftës ruse, në përpjekje për t’i bërë trysni Moskës të ulet për të biseduar për arritjen e një marrëveshjeje për paqe në Ukrainë. Putin tha se sanksionet nuk do të ndikojnë në ekonominë e Rusisë, por i përshkroi ato si një "akt jo miqësor" që nuk i forcon marrëdhëniet e saj me SHBA-në, sipas medias shtetërore ruse TASS. Sanksionet janë një përpjekje për të ushtruar presion mbi Rusinë, është shprehur Putin, duke shtuar se "dialogu është gjithmonë më i mirë se lufta". Presidenti ru tha se zëvendësimi i naftës ruse në tregun global do të kërkojë kohë dhe do të çojë në rritje të çmimeve. Teksa diskutoi samitin e anuluar me Donald Trump në Budapest, Putin thotë se takimi u propozua nga SHBA-të. Ai tha se Rusia dëshiron të vazhdojë dialogun me SHBA-në, pasi sipas tij të dy vendet kanë shumë fusha për bashkëpunim.