Në kushtet e bojkotit të opozitës, socialistët miratuan të vetëm udhërrëfyesin për funksionimin e institucioneve demokratike në konferencën e kryetarëve. Ky dokument është një nga parakushtet për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian. Pjesa e parë e udhërrëfyesit lidhet me garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, duke miratuar kornizën ligjore që adreson rekomandimet e pazbatuara të OSBE-së. Parashikohet që votimi elektronik të shtrihet në një shkallë më të gjerë, si dhe synohet depolitizimi i komisioneve zgjedhore të niveleve të ulëta. Sa i takon mediave, në dokument thuhet se rreziqet e dezinformimit do të adresohen përmes masave të marra nga KQZ dhe AMA.