Socialistët dhe demokratët zbarkuan në Uashington me dy delegacione të ndara, ku zhvilluan disa takime me ligjvënësit amerikanë në Kongres. Nga PS në SHBA u ndal kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, shoqëruar nga deputeti Damian Gjiknuri. Peleshi zhvilloi takime me kongresistët Pete Sessions dhe Keith Self. Përmes rrjeteve sociale, Peleshi tha se temat e diskutimit në Kongres lidheshin me sigurinë, klimën e biznesit dhe investimet. Ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali ndodhet gjithashtu në Uashington, ku njoftoi takime në Senat dhe Dhomën e Përfaqësuesve. Kryediplomatja shqiptare theksoi se fokusi i diskutimeve ishte thellimi i bashkëpunimit strategjik në fushën e sigurisë, si dhe përforcimi i bashkëpunimit ekonomik dhe politik mes Shqipërisë dhe SHBA.