Zyrtarët iranianë do të takohen më 25 korrik në Stamboll me përfaqësues nga Britania, Franca dhe Gjermania, në përpjekje për të zhbllokuar bisedimet rreth programit bërthamor të Iranit. Takimi do të mbahet në nivel të zëvendësministrave të Jashtëm, siç konfirmoi më 20 korrik zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit Esmail Baghaei. Ai tha se Irani ka pranuar të zhvillojë një raund të ri negociatash me vendet evropiane, si përgjigje ndaj kërkesave të tyre. Ministri i Jashtëm iranian Abbas Aragchi, po ashtu konfirmoi përgatitjet për këtë takim, në një kohë kur presioni perëndimor është rritur ndjeshëm. Nëse nuk arrihet një marrëveshje deri në fund të gushtit, tri vendet evropiane kanë paralajmëruar rikthimin e të gjitha sanksioneve të OKB-së kundër Teheranit.