Partia Demokratike e Kosovës nuk do të votojë për rizgjedhjen e Vjosa Osmanit si presidente. Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, deklaroi se vendit nuk i bën nder një president që përfaqëson vetëm një grup politik. Po ashtu, Tahiri paralajmëroi se nëse nuk arrihet pajtueshmëri për zgjedhjen e presidentit, partia është e gatshme që vendi të shkojë në zgjedhje të reja. Mandati aktual i Vjosa Osmanit përfundon më 4 prill 2026, dhe sipas Kushtetutës, një president i ri duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit, pra deri më 4 mars 2026. Nëse presidenti nuk zgjedhet brenda kësaj periudhe, automatikisht do të shpallen zgjedhje të reja. Vjosa Osmani është e vetmja që ka shprehur ambiciet për një mandat të dytë, ndërsa për zyrtarizimin e kandidaturës i duhen të paktën 30 nënshkrime të deputetëve.