Policia e Vlorës ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë për pronarin e qenit të rracës Pit Bull, që ditën e martë sulmoi një vajzë 4-vjeçare. Në procedim është një 87 vjeçar. I moshuari është marrë në pyetje, ku ka deklaruar se qenin e mbante të lidhur brenda rrethimit të banesës së tij, por se ditën e ngjarjes ai kishte këputur zinxhirin dhe ishte larguar. Ngjarja ndodhi në lagjen 10 korriku, kur qeni e sulmoi të miturën duke e kafshuar nga koka. 4-vjeçarja u transportua në spitalin e Vlorës, ku sipas mjekëve, radiografia nuk ka evidentuar dëmtime serioze, por vetëm lëndime sipërfaqësore në lëkurën e kokës.