Në 1 korrik, Gjermania merr presidencën e radhës së BE-së në mesin e pandemisë së koronavirusit që kërcënon të kthehet në sfidën më të madhe të saj. Kapërcimi i kësaj situate dhe rimëkëmbja ekonomike në Europë janë dy çështjet qendrore, me të cilat do të merret Gjermania gjatë 6 muajve që do të jetë në krye të kësaj presidence. Ky është konstatimi i partive të Unionit CDU/CSU dhe socialdemokratëve, në negociatat e Këshillit të koalicionit të zhvilluara në zyrën e Kancelares. “Bashkimi Evropian gjendet para një sfide që përcakton fatin e vendeve anëtare, e kjo është pandemia COVID-19”, thuhet në dokumentin e partive të koalicionit qeverisës.