SHBA-të kanë arrestuar mbesën dhe stërmbesën e gjeneralit iranian Qasem Soleimani, i vrarë nga një sulm amerikan me dron në vitin 2020 në Bagdad. Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, të arrestuarat, të cilat jetonin në SHBA si rezidente të përhershme, u janë hequr dokumentet ligjore nga Sekretari i Shtetit Marco Rubio. Në deklaratë thuhet se mbesa e Soleimanit ka qenë një mbështetëse e hapur e regjimit iranian dhe ka promovuar propagandën e tij brenda Shteteve të Bashkuara. Autoritetet amerikane theksojnë se administrata nuk do të lejojë që vendi të shërbejë si strehë për shtetas të huaj që mbështesin regjime të cilësuara si armiqësore ndaj SHBA-ve. Soleimani ishte komandant i Forcës Quds, një nga pesë degët e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit , e cila është shpallur organizatë terroriste si nga Shtetet e Bashkuara edhe Parlamenti Evropian. Ai konsiderohej personi i dytë më i fuqishëm në Iran, madje duke u konsideruar edhe krahu i djathtë i Ali Khameneit.