I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak në ditën e dytë të vizitës së tij në Kosovë ka zhvilluar takim me Partinë Demokratike të Kosovës në opozitë. Kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi, në një konferencë për media pas takimit me emisarin e ka thënë se ka shprehur rezerva mbi Marrëveshjen për normalizimin e raporteve me Serbinë. Ai tha se PDK-ja e sheh atë si një “marrëveshje të përkohshme” që nuk e ka në qendër njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë por e ka në qendër Asociacionin e komunave me shumicë serbe.