Një krim i rëndë në familje është regjistruar pak pas mesnatës të së enjtes në qytetin e Prizrenit. Sipas policisë, në rrugën “Rexhep Kabashi” kanë gjetur një grua, me plagë të shkaktuara nga goditjet me mjet të mprehtë dhe gjakderdhje. Po ashtu, në katin e fundit të ndërtesës është gjetur edhe viktima e dytë, vajza e mitur. Ajo po ashtu kishte lëndime në trup dhe gjakderdhje. Viktimës së mitur i është ofruar ndihma e parë dhe më pas, bashkë me nënën e saj, janë dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Prizrenit. Sipas mediave në Kosovë, gjendja shëndetësore e të dy viktimave është e rëndë. Policia bën me dije se gjatë kontrollit, në hyrje të banesës është identifikuar dhe arrestuar kryefamiljari, i cili është shoqëruar në komisariat për procedura të mëtejme, si autori i dyshuar të ngjarjes. Ai akuzohet për veprat penale, “Vrasja e rëndë në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.