Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi të mos marrë në shqyrtim relacionin e Këshillit të Karrierës mbi vlefshmërinë e mandatit të gjyqtares së posaçme Irena Gjoka, e cila nga hetimi i thelluar i Prokurorisë së Përgjithshme rezultoi e dënuar në Greqi për përdorim vize të falsifikuar dhe që nuk e kishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit. Relatori dhe anëtari i KLGJ, Ridvan Hado tha se Këshilli ka për kompetencë që të shqyrtojë vetëm rastet kur papajtueshmëria me funksionin e gjyqtarëve ka lindur para emërimit të tyre. Në rastin e Irena Gjokës, tha ai, papajtueshmëria e pretenduar ka lindur pasi ajo është emëruar gjyqtare në GJKKO dhe për rrjedhojë është kompetencë e Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë që ta marrë në shqyrtim.