Për Edi Ramën, respektimi i kufirit ndarës mes pushtetit ekzekutivit dhe atij gjyqësor duhet të prevalojë, edhe kur ka dyshime se një anëtar i kabinetit qeveritar është përfshirë në korrupsion, po pavarësisht kësaj ai as nuk shkarkohet e as nuk dorëhiqet për t’u përballur me drejtësinë. Për të shuar zërat që i lexojnë veprimet e Ramës për çështjen ‘Balluku’ si presion ndaj Gjykatës Kushtetuese, kryeministri solli sërish për referencë Komisionin e Venecias. “Shkurt, kjo është një betejë institucionale gjyqësore, për të mos lejuar atë që nga Komisioni i Venecias konsiderohet shkelje e palejueshme e kufirit ndarës mes pushteteve, pra unë jam palë dhe flas si palë, nuk i bëj presion askujt. Dhe jo sot për sot por për të ardhmen, nëse pezullimi i një ministri do legjitimohej si një e drejtë.” Rama pati edhe një përgjigje për kundërshtarin e tij politik, Sali Berishën.