Në 50 vjetorin e Revoltës së Spaçit, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj së bashku me Zonjën e Parë, Armanda Begaj vizituan ish burgun e Spaçit. Në aktivitetin e organizuar nga Dioqeza Rrëshen dhe Bashkia e Mirditës, Begaj u shpreh se heronjtë e Spaçit e të tjerë si ata, shërbejnë si kujtesë se lufta për liri është një luftë e përhershme. Begaj: "Pal Zefi, Skënder Daja, Dervish Bejko, Hajri Pashai, Dashnor Kazazi, Jorgji Pepa, e shumë e shumë të tjerë që unë nuk po i përmend, janë vetëm disa nga ata emra që e bënë sakrificën e tyre për të treguar se edhe mbas vdekjes, shpresa nuk vdes!" Kreu i shtetit, Bajram Begaj bëri thirrje për të ndërtuar më shumë ura bashkëpunimi, mirëkuptimi dhe dhemshurie.