Policia e Durrësit ka goditur dy ambiente të cilat ishin përshtatur për ushtrimin e aktivitetit të prostitucionit duke vënë në pranga dy shtetase braziliane. Operacioni policor erdhi pas një hetimi dy javor ku u përdorën metoda proaktive nën drejtimin e prokurorisë së Durrësit. Shtetaset e huaja të moshave 26 dhe 39 vjec dyshohen se kanë kryer veprat penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, “Prostitucion” dhe “Përshtatja e ambienteve për prostitucion”, teksa organi i akuzës ka nisur hetimin në gjendje të lirë për pronarin e ambienteve, i cili dyshohet për Prostitucion. Brenda ambienteve të cilat ishin marrë me qira në rrugën “Dalip Peza”, lagjja nr. 17, Durrës, policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 2 pasaporta të shtetaseve të huaja, shuma parash, 8 aparate celularë, një DVR, karta telefonike, 2 blloqe shënimesh, si dhe 2 sasi të vogla lënde narkotike të dyshuara kanabis. Në momentin kur policia ka ndërhyrë në njërën prej ambienteve, braziljania ka refuzuar të hapë derën, për pasojë uniformat blu janë ndihmuar nga shërbimi zjarrfikës. Provat e sekuestrua në kuadër të operacionit të koduar Storm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.