Një ngjarje e rëndë është regjistruar në bulevardin “Ismail Qemali” në Vlorë, ku një automjet tip “Golf” është përplasur qëllimisht me një mjet të policisë së rendit gjatë një ndjekjeje. Sipas informacioneve paraprake, efektivët kishin nisur ndjekjen e mjetit pasi drejtuesi nuk i ishte bindur urdhrit për të ndaluar, që nga zona e Çollës. Gjatë tentativës për bllokimin e tij, drejtuesi i “Golf”-it ka goditur makinën e policisë, duke e aksidentuar atë. Si pasojë e përplasjes, dy efektivë policie kanë mbetur të lënduar dhe janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës. Në aksident është përfshirë edhe një automjet tjetër tip “Benz”, por fatmirësisht pa persona të lënduar. Burime bëjnë me dije se drejtuesi i mjetit është një 15-vjeçar, i cili është shoqëruar në komisariat. Policia po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e të gjithë personave të përfshirë në ngjarje.