Përplasja mes Myftinisë dhe Bashkisë së Shkodrës është përshkallëzuar mbrëmjen e së dielës, pasi autoritetet vendore hoqën të tjera parrulla profetike ndërgjegjësuese kundër grabitjes së pronave. Mbrëmjen e së dielës, forca të shumta të policisë së shtetit dhe policisë bashkiake hoqën brenda territorit të Myftinisë një tabelë që i referohej pronës ku është parashikuar të ndërtohet një kullë 35 katëshe, por që komuniteti mysliman në Shkodër pretendon se po u grabitet atyre. Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat të hënën, Myftinia e Shkodrës kujton përvjetorin e ringjalljes së besimit pas rënies së komunizmit dhe akuzon autoritetet se paradoksalisht në 9 nëntorin e shembjes së Murit të Berlinit ndërhyri dhunshëm në shkelje flagrante duke denigruar pronën private dhe simbolikat e shenjta.