Reshjet e shiut zbutën intensitetin e rënies së tyre në qytetin e Durrësit gjatë natës mes të martës dhe të mërkurës, por niveli i ujit mbeti pothuajse i pandryshuar në zonat më të prekura të qytetit nga vërshimet e një dite më parë. Situata në zonën e ish-Kënetës në Durrës vijon të jetë kritike. Uji ka përmbytur gjithçka dhe nuk është tërhequr as nga rrugët dytësore dhe as nga banesat e shumë familjeve. Të dhënat paraprake tregojnë se janë mbi 100 banesa nën ujë dhe një numër i lartë biznesesh, që kanë pësuar dëme të konsiderueshme materiale, që nga dëmtimi i pajisjeve elektroshtëpiake, orendive, mobilejeve dhe materialeve të tjera.