Reshjet e dendura të shiut që nisën paraditen e së martës shkaktuan probleme në disa zona në veri të vendit. Situata është raportuar problematike në Bashkinë e Lezhës, atë të Kurbinit, Bashkinë e Kukësit dhe në atë të Matit. Në Lezhë uji ka hyrë nëpër banesa dhe biznese në katet e para, teksa nënkalimi i Mamurrasit është përmbytur, duke u bërë i pakalueshëm. Në Bashkinë e Matit probleme janë raportuar në zonën e Rukajt dhe Derjanit, ku rrëshqitja e dherave ka bllokuar pjesërisht, ose plotësisht disa akse rrugore rurale, ndërsa rënie gurësh është raportuar edhe në aksin nacional, Milot-Burrel.