Kryetari i Kuvendit dhe drejtuesi politik i PS për Qarkun e Korçës, Niko Peleshi ka nisur punën në bazë në kuadër të procesit të rienergjizimit të partisë, sipas udhëzimeve që ka dhënë kryesocialisti Edi Rama në mbledhjet e fundit të strukturave drejtuese të partisë. Peleshi u ndal në Maliq, ku pas takimeve me socialistët vendorë u pyet nga gazetarët mbi zhvillimet e fundit brenda socialistëve, pas mbledhjes së përbashkët të grupit parlamentar dhe ministrave, që Edi Rama thirri të shtunën. Me pyetjeve që iu drejtuan kreut të Kuvendit ishte edhe ajo nëse ka përçarje në PS. ‘Nuk mund të komentoj thashetheme pa substancë politike. Nuk di çdo të thotë përçarje. Natyrisht ka diskutime. Orë të gjata diskutimi kemi patur dje dhe kjo besoj është e shëndetshme. Nuk mund të quhet përçarje diskutimi. Ne nuk jemi një formacion ushtarak pa mendime dhe pa frymë diskutimi dhe pa demokraci të brendshme’, deklaroi ai.