Partia Demokratike akuzon kreun e Kuvendit, Niko Peleshi se e ka përjashtuar nga delegacioni zyrtar i Kuvendit të Shqipërisë për takime në Bundestagun gjerman. Përmes një reagimi publik, grupi parlamentar i PD thotë se më 4 mars, kryetari i Kuvendit i ka kërkuar të caktojë dy deputetë për t’u bërë pjesë e delegacionit. Sipas deklaratës, grupi i PD i përcolli Peleshit emrat e deputetëve Tomorr Alizoti dhe Klevis Balliu. - Niko Peleshi, në një akt të paprecedentë për një Kryetar Kuvendi, por të përsëritur prej tij, ka vendosur më pas pa asnjë arsye të përjashtojë grupin më të madh të opozitës në Kuvend nga delegacioni zyrtar i Kuvendit të Shqipërisë në Bundestag. Emrat e përfaqësuesve të Partisë Demokratike u hoqën qëllimisht për ta përjashtuar PD nga përfaqësimi institucional. Kjo sjellje e Kryetarit të Kuvendit, thotë grupi parlamentar demokrat, nuk e pengon opozitën që të përfaqësohet në marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë.