Pas dështimit të negociatave mes dy grupimeve të demokratëve, Eneklejd Alibeaj mblodhi kryesinë e Partisë Demokratike, për të përcaktuar fatin e forcës së tyre politike në zgjedhjet vendore të 14 majit. Për rreth tre orë, 14 anëtarët e kryesisë që mbështesin Alibeajn diskutuan në degën numër 7 të Partisë Demokratike në kryeqytet, teksa 4 të tjerë ju bashkuan mbledhjes online. Në prononcimin për mediat, Alibeaj deklaroi se gjeti mbështetje nga kryesia dhe tashmë po fillojnë të organizojnë punën për zgjedhjet e 14 majit, teksa deklaroi arsyen që çoi në përçarjen përfundimtare të Partisë Demokratike.