Afati i linjës së likuiditetit në euro do të zgjatet deri në muajin janar të vitit 2024, pas marrëveshjes së dakordësuar mes Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Qëndrore Europiane. Ky është rinovimi i dytë që i bëhet linjës së likuiditetit në vlerën 400 milionë euro, pas firmosjes fillestare të marrëveshjes në vitin 2020. E quajtur ndryshe REPO, kjo marrëveshje është një formë huamarrje e kolateralizuar. Përmes saj, Banka e Shqipërisë, shet përkohësisht tek Banka Europiane tituj që i disponon, duke marrë përsipër t’i blejë ato në një kohë të dytë, sipas kushteve të rëna paraprakisht dakord.