Pas Danimarkës, edhe Belgjika duket se ka një plan të njëjtë, për të kthyer shumë të dënuarit në Kosovë, për të vuajtur dënimet. Dy ministre belge, ajo e Drejtësisë Annelies Verlinden dhe ajo e Azilit dhe Migracionit Anneleen Van Bossuyt, nisën të hënën një mision diplomatik treditor në Shqipëri dhe Kosovë. Vizita përqendrohet në trajtimin e mbipopullimit kronik të burgjeve belge dhe në forcimin e luftës kundër krimit të organizuar. Për të lehtësuar situatën e rënduar në sistemin penitenciar, qeveria belge po shqyrton mundësinë e ndërtimit ose marrjes me qira të një burgu jashtë vendit për personat e dënuar që nuk janë rezidentë belgë. Gjatë vizitës, ministrat do të zhvillojnë bisedime paraprake mbi mundësinë e realizimit të këtij projekti.