Socialistët dhe demokratët do të diskutojnë të martën draftin e propozuar për ligjin e financimit të partive, që aktualisht është i përfshirë në një grup nenesh në ligjin e përmbledhur për partitë politike. Kërkesa për një ligj të veçantë që të rregullojë mënyrën e financimit të partive dhe garantojë më shumë transparencë është një rekomandim i hershëm i OSBE/ODIHR. Drafti i propozuar përcakton pesë burime financiare për partitë politike, që nga kuotat e anëtarësisë, te dhurimet, financimi nga buxheti, huatë dhe kreditë dhe të ardhura të tjera, që subjektet mund të krijojnë sipas legjislacionit në fuqi.