Pakistani i ka paraqitur Iranit një propozim nga Shtetet e Bashkuara, dhe Pakistani ose Turqia mund të jenë vende ku mund të mbahen diskutimet për të ulur tensionet në Gjirin Persik, tha një zyrtar i lartë iranian për agjencinë e lajmeve Reuters të mërkurën. Komentet, nga një zyrtar që foli në kushte anonimiteti, ishin ndër shenjat e pakta që tregojnë se Teherani është i gatshëm të marrë në konsideratë propozimet diplomatike, pavarësisht se kishte mohuar publikisht se do të negocionte me administratën e Presidentit Donald Trump. Burimi iranian nuk zbuloi detaje të propozimit të përcjellë nga Pakistani, ose nëse ishte i njëjtë me një propozim 15-pikësh të SHBA-së që është raportuar nga mediat. Burimi tha se Turqia gjithashtu "kishte ndihmuar në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës dhe Turqia ose Pakistani po konsideroheshin si vende të mundshme për bisedime të tilla". Çmimet e naftës ranë dhe aksionet e goditura u rimëkëmbën të mërkurën pas raportimeve se SHBA-të i kishte dërguar një plan 15-pikësh Iranit, me investitorët që shpresojnë për një fund të gati katër javëve të luftës që ka vrarë mijëra njerëz dhe ka ndërprerë furnizimet globale me energji. Një burim i njohur me çështjen i kishte konfirmuar të martën se plani i ishte dërguar Iranit. Tre burime nga kabineti izraelit thanë se kabineti i sigurisë i kryeministrit Benjamin Netanyahu ishte informuar mbi propozimin, i cili sipas tyre përfshin heqjen e rezervave të uraniumit të pasuruar të Iranit, ndalimin e pasurimit, frenimin e programit të raketave balistike dhe ndërprerjen e financimit për aleatët rajonalë.