Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela ka zhvilluar një takim këtë të premte me kreun e Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODHIR, Ambasadorin Lamberto Zannier. Qëllimi i këtij takimi ishte njohja e përfaqësuesve të Misionit me masat e marra nga Prokuroria e Përgjithshme për hetimin e veprave penale që lidhen me zgjedhjet, si dhe mundësitë e ofrimit të mbështetjes për punën e Misionit nga prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm. Në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025, janë krijuar seksione speciale të përkohshme në të gjitha prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, të cilat drejtohen nga kryeprokurorët e këtyre prokurorive. Këto seksione do të mbështeten nga Policia e Shtetit, me oficerë të policisë gjyqësore dhe një forcë operacionale.