I shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK, ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj po vijon betejën me drejtësinë shqiptare në dy fronte. Në drejtimin e parë, ai po synon pavlefshmërinë e provave të mbledhura nga prokurorët e posaçëm gjatë kontrolleve të kryera në vilën në Hamallaj, që është zyrtarisht në emër të partneres së tij. Duke qenë se banesa në fjalë nuk figuron në emër të Ahmetajt, që në atë kohë gëzonte imunitetin e deputetit, SPAK e kontrolloi pa marrë më parë miratimin e Parlamentit. Por, me pretendimin se në këtë vilë banonte edhe ai, Ahmetaj kërkon nga gjykata kushtetuese shpalljen si të paligjshme të këtyre kontrolleve.