Prej nisjes së sezonit të ri arsimor, në të gjitha shkollat në Holandë, ndalohet përdorimi i celularëve gjatë orës së mësimit. Ministria e Kulturës në Hagë thotë se telefonat mobile u shkëpusin vëmendjen nxënësve, ulin aftësinë e tyre të përqendrimit dhe kanë efekt negativ ndaj rezultateve në mësime. Telefonat celularë do të lejohen të përdoren në klasë vetëm për qëllime mësimore, ose kur e kanë të nevojshme për arsye shëndetësore ose për shkak të aftësive të kufizuara. Për vënien në zbatim të vendimit janë përgjegjëse shkollat.