Shpejtësia, parakalimet e gabuara dhe mosrespektimi i sinjalistikës rrugore kanë qenë shkaktarët kryesorë të 91 aksidenteve të regjistruara përgjatë muajit mars. Shifra tregon ulje me gati 10 përqind, ose me 10 aksidente më pak krahasuar me marsin e vitit 2022. 118 persona, përfshirë këtu të vrarë e të plagosur u shënuan në harkun kohorë të 31 ditëve të muajit mars, sërish numër ngushtësisht më i vogël me atë të një viti më parë, referuar së njëjtës periudhë. Sipas raportit të publikuar nga Instituti i Statistikave, 41.8 për qind e aksidenteve rrugore janë shënuar nga ora 17.00 e pasdites deri në mesnatë.