Përpjekjet e Kosovës dhe të Serbisë për të fajësuar të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Europian për dialogun, Miroslav Lajçak për dështimin e këtyre bisedimeve në Bruksel janë justifikime boshe. Kështu thotë Brukseli, që ka marrë në mbrojtje të dërguarin e posaçëm të BE-së, që kohët e fundit është vënë në shënjestër të kritikave si nga Beogradi edhe nga Prishtina për njëanshmëri në dialog. BE thotë se Lajçak e ka kryer detyrën e vet me përkushtim dhe siç është mandatuar për këtë dialog dhe së dështimi i bisedimeve nuk mund t’i faturohet atij.