Rama: “Sot në stendën ‘Takohuni me qeverinë’, nuk do gjeni vetëm raki, por do gjeni pak raki. Edhe pse nuk është më e nevojshme për t’ju dhënë energji kur vini në Shqipëri, provojeni. Efekti më i shkëlqyer i saj është që do i sjellë të gjithë në qejf e të mos vuajnë artificialisht për këtë problemin tonë me korrupsionin dhe krimin e organizuar.” Në fjalën e tij përpara investitorëve vendas dhe të huaj, në edicionin e dytë të MatchMaker Albania, shefi i ekzekutivit, Edi Rama e konsideroi steriotip, lidhjen e Shqipërisë me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Pa dashur të bëjë një krahasim konkret me vendet e Europës, Rama u zotua se panorama nuk është më gri në Shqipëri sesa në shtetet e tjera. Rama: “Kur njerëzit flasin për Shqipërinë, bien pre ndonjëherë lehtësisht e disa steriotipeve si korrupsioni, krimi i organizuar e kështu me radhë. Por kjo nuk është Shqipëria, ne nuk kemi më shumë korrupsion se çdo kush tjetër dhe jo më shumë krim të organizuar se çdo kush tjetër. Dhe nuk do të përmend këtu portet në Europë, nuk do të përmend qarkullimin e drogës në Europë, sasitë, rrjetet, trafikantët në Europë, nuk do bëj asnjë lloj krahasimi. Kjo nuk do të thotë që ne jemi më mirë se të gjithë, por për gjithëkënd që thotë se jemi më të këqinj, ju them: Shikoni veten tuaj! Dhe na lini të bëjmë punën tonë, dhe më të mirën tonë. Sot si dëshmi ndryshimi kemi ecur nga një vend me pak muaj turizëm, me pak milionë turistë, në një vend me shumë më tepër muaj turizmi, me 12 milionë turistë.” Sa i takon turizmit, ministri Blendi Gonxhja u shpreh se do të ketë një rishikim të legjislacionit për të ofruar shërbime më cilësore.