Në dosjen që ministria e drejtësisë do i dorëzojë qeverisë së gjyqësorit, do të shtohet edhe një tjetër emër gjykatësi, që Rama e veçoi publikisht si të papajtueshëm me interesin publik. “Gjykatësi Ligoraq vendosi në pak minuta pa praninë e palëve, që të mos hapet kalimi i mbyllur nga kjo ngrehinë pa leje me kupolë xhami mes dy pallateve, nën të cilën shtrihet një dyqan. Gjykatësi Ligoraq me siguri nuk e ka parë të udhës që të mbajë anën e komunitetit të zënë në kurth nga ky ndërtim pa leje dhe as nuk e ka menduar që mos o Zot, në rast zjarri ky dyqan kthehet në barrikadë vrastare, e pakapërcyeshme edhe për banorët edhe për zjarrfikësit.” Gjatë ditëve të fundit janë shënuar disa episode kritikash të Ramës për gjykatësit Lugoraq, Balliu dhe Demiri, dhe prokuroren e Shkodrës, Elsa Gjeli. Shefi i ekzekutivit ju ktheu një përgjigje të gjithë atyre që këto komente të tij, i interpetojnë si presion ndaj gjyqësorit.