Hetimet për vrasjen e dyfishtë në zonën e Astirit në Tiranë janë ende shumë të vështira, por një fakt jo pak i rëndësishëm është tashmë pjesë e dosjes, prej nga pritet të zbardhen detaje, që do të çojnë hetuesit tek autori, apo autorët e krimit. Një studente nga Lushnja, dyshohet të jetë personi që ka ndihmuar autorët për t’ju afruar dhe më pas ekzekutuar Erigers Mihasin dhe shokun e tij, Armand Dumanin. Studentja e arkitekturës, sipas burimeve policore, që janë bërë publike tashmë edhe në media, kishte krijuar një lidhje me viktimën Mihasi disa ditë përpara ngjarjes.