Në Kosovë qeveria miratoi një projektligj që ka për qëllim themelimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Projektligji, sipas ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu, është hartuar nga ekspertët vendorë dhe ndërkombëtarë. Ajo thotë se Byroja Shtetërore synon "verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar të personave zyrtarë, familjarëve të tyre dhe personave të ekspozuar politikisht”. Projektligji po ashtu garanton respektim të drejtave të palëve në procedurë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, dhe dokumentet ndërkombëtare. "Parandalimi dhe ndëshkimi i keqpërdorimit të të mirave publike, ka qenë dhe mbetet njëri ndër top prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Aprovimi dhe implementimi i këtij Ligji, është një hap tutje i domosdoshëm për arritjen e këtij synimi”, bëri të ditur në rrjetet sociale ministrja Haxhiu.