Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe ITB Berlin - Panairi më i madh në botë për Turizmin - kanë arritur marrëveshjen që shpall Shqipërinë vend nderi të ITB Berlin 2025. Në memorandumin e mirëkuptimit mes dy palëve nënshkruar në Gjermani nga zëvendësministrja e Turizmit dhe Mjedisit Vilma Bello dhe drejtoresha ekzekutive e “ITB Berlin” Debora Rothe, Shqipëria zyrtarisht do të jetë vendi i nderit për panarin më të rëndësishëm të turizmit në botë për vitin 2025. Më herët, në korrik, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro foli për ambicien e Shqipërisë dhe nisjen e bisedimeve me palën gjermane për të arritur këtë marrëveshje që e kthen vendin tonë në epiqendrën e pikëtakimit më të rëndësishëm botëror të turizmit dhe turoperatorëve që mbahet çdo vit në Berlin.