Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përsëriti deklaratën se nuk ka dërguar punonjës jashtë Shqipërisë për të ndihmuar emigrantët në procesin e regjistrimit për zgjedhjet e 11 majit. KQZ thotë se regjistrimi kryhet vetëm online përmes platformës PER dhe fton emigrantët që të denoncojnë çdo rast ku u ofrohet regjistrimi nga persona që u prezantohen si punonjës të Komisionit. “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka ofruar dhe nuk ofron asnjë lloj ndihme apo mbështetje për regjistrimin në terren. E vetmja ndihmë dhe mbështetje për çdo votues nga jashtë ofrohet ekskluzivisht nga Qendra e Ndihmës pranë KQZ dhe vetëm përmes thirrjeve telefonike, mesazheve ne Whats App, e-mail-it zyrtar dhe chatbotit”, thuhet në deklaratë.