Me kërkesë të SPAK dhe miratim të Gjykatës së Posaçme, Byroja Kombëtare e Hetimit ka ushtruar kontrolle në ambientet e kompanisë “Evita”, në pronësi të biznesmenit Klodian Allajbeut. Kontrollet kanë të bëjnë me hetime tenderash. Kontrollet janë ushtruar në dy zona në Tiranë, më konkretisht në zonën e ish Bllokut dhe në një banesë në zonën e Selitës. Bastisjet e BKH mbërrijnë pak javë pasi kompania Evita u shpall fituese e një tenderi me vlerë 750 milionë lekë për pajisje për shërbimin e kardiokirurgjisë në QSUT. Vlera që ofroi “Evita” në këtë tender është rreth 120 milionë lekë më shumë se sa ofroi kompania tjetër në garë. SPAK nuk ka dhënë ende një njoftim zyrtar për këtë kontroll në ambientet e firmës “Evita”. “Evita Sh.p.k” është një kompani qe ushtron aktivitetin ne fushën e farmaceutikes dhe pajisjeve mjekësore.